Kalo te përmbajtja kryesore

Dhoma e Avokatisë Tiranë

Kontakt
DHAT
Kthehu te Vendime

Vendim Nr. 245 Prot., datë 08.09.2026

Për bojkotimin e seancave gjyqësore pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Publikuar më:

Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë vendosi bojkotimin e seancave gjyqësore pranë GJKKO-së nga data 08.09.2026, në reagim ndaj Rregullores së Brendshme të gjykatës që kufizon ushtrimin e profesionit të avokatit dhe të drejtën e mbrojtjes.

Nr. 245 Prot. — Tiranë, më 08.09.2026

Sot, më datë 8 shtator 2026, u mblodh Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë për të shqyrtuar situatën e krijuar nga hyrja në fuqi, më 1 shtator 2026, e Rregullores së Brendshme "Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar", miratuar me Vendimin nr. 49, datë 17.07.2026.

Këshilli konstatoi se Rregullorja, e miratuar pa asnjë konsultim paraprak me Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë, është në shkelje të nenit 4 § 3 të Konventës së Këshillit të Evropës për mbrojtjen e profesionit të avokatit (CETS nr. 226), të nënshkruar nga Republika e Shqipërisë më 16 qershor 2026.

Rregullorja përmban në tërësinë e saj kufizime të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të së drejtës së mbrojtjes. Ajo është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, me Konventën Evropiane për mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, Kodin e Procedurës Penale, me ligjin për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë dhe një sërë aktesh të tjera.

Moslejimi i telefonit celular nga ana e avokatëve në seanca gjyqësore cënon drejtpërsëdrejti kufizimin e realizimit të së drejtës së mbrojtjes, për shkak se tashmë, në kushtet e zhvillimit teknologjik në planin global, aparati celular merr kuptimin e studios lëvizëse për mbrojtje efektive dhe të shpejtë.

Rregullorja parashikon dhe një sërë ndalimesh e formalitetesh të tjera që nuk u shërbejnë as sigurisë, as rendit dhe as solemnitetit të gjykimit, por vetëm rëndojnë pa asnjë arsye të justifikuar ushtrimin e profesionit dhe pjesëmarrjen në proces.

Reagimet publike të organizatave të medias dhe të shoqërisë civile ndaj së njëjtës Rregullore tregojnë se problemi nuk kufizohet vetëm tek mbrojtësit, por prek edhe parimet bazë procedurale për një proces të rregullt, siç është ai i publicitetit të procesit dhe i seancave të hapura për publikun.

Rregullorja del haptazi kundër parashikimeve të K.Pr.Penale dhe më konkretisht neneve 339, 340 dhe 341, në të cilat janë parashikuar administrimi i seancave gjyqësore nga Kryesuesi i seancës dhe masat përkatëse që ndërmerren ndaj palëve që shkelin solemnitetin e sigurinë e seancës gjyqësore.

Për këto arsye, Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë doli me propozimin për bojkotin e të gjitha seancave gjyqësore për çështjet penale pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Pasi propozimi u hodh në votë, me unanimitet

VENDOSI

  1. Bojkotimin nga avokatët të seancave gjyqësore pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar nga data 08.09.2026.
  2. Bojkoti nuk zbatohet vetëm në seancat e vleftësimit të arrestit ose të ndalimit dhe të caktimit, zëvendësimit ose shuarjes së masave të sigurimit personal.
  3. Ndaj avokatëve që nuk e zbatojnë bojkotin, jashtë përjashtimit të parashikuar në pikën 2, i nënshtrohen procedimit disiplinor përpara Komitetit Disiplinor të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, sipas Ligjit nr. 55/2018 dhe akteve nënligjore të Dhomës.
  4. Dhoma garanton mbrojtjen institucionale dhe juridike të çdo anëtari ndaj çdo mase disiplinore apo pasoje tjetër që lidhet me zbatimin e këtij vendimi.
  5. I kërkohet Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pezullimi i menjëhershëm i zbatimit të Rregullores në raport me mbrojtësit dhe rishikimi i saj në tërësi, duke garantuar, ndër të tjera, të drejtën e mbrojtësit për të mbajtur dhe përdorur pajisjet elektronike, përfshi edhe telefonin celular, në modalitet të heshtur, për qëllime të mbrojtjes, si dhe zhvillimi i konsultimit institucional me Dhomën brenda 15 ditëve mbi çdo dispozitë që prek ushtrimin e profesionit.
  6. Ky vendim t'i komunikohet Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke i kërkuar ndërhyrjen për zgjidhjen e kësaj situate.
  7. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në website të Dhomës së Avokatisë.

Për Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë

Kryetari — Prof. Dr. Maksim R. Haxhia

Dokumente bashkëngjitur